Fundjava në kanionet e Nivicës/ Vizitorët më të shumtë janë shqiptarë, rezervime edhe nga të huajt

18/04/2021 19:59

Në fundjavë dhjetëra vizitorë po i drejtohen kanioneve të Nivicës në Tepelenë.

Ata janë më së shumti shqiptarë që pandemia ju riorientoi interesin për pushimet. Për të arritur deri tek kanionet përshkohet një rrugë e lodhshme por panorama dhe mundësitë e zbavitjes janë shpërblyese. Ka vizitorë që nuk hezitojnë edhe të lahen në pellgjet nën ujëvara.

Vizitorët: “Kemi ardhur nga Gjirokastra për të parë ujëvarën e Peshturës. Është një mrekulli që nuk duhet humbur aq më tepër që e kemi kaq afër.”

“Është hera ime e parë këtu. Pamja e të dy ujëvarave është mahnitëse.”

“Rruga ishte pak e vështirë por ja vlejti.”

Interesi për destinacionet e reja si Nivica është shumë i lartë dhe sipërmarrësit e turizmit po punojnë për të diversifikuar ofertën.

Vasil Garo: “Kemi pasur rezervime kryesisht nga grupe shqiptare por nuk kanë munguar edhe të huajt. Po përpiqemi që të përmirësojmë ofertën jo vetëm me gjëra për të parë por shumë të tjera që mund vizitorët mund ti bëjnë.”

Edhe bujtësit e kanë parë si shpëtimtar për bizneset e vogla të sapokrijuara frekuentimin prej vizitorëve shqiptarë.

Petrit Merjo: “Që nga fundi i Shkurtit kemi pasur njerëz, marsi pak më mirë por veçse vetëm në fundjavë. Po përpiqemi që të gjithë të ikin të kënaqur.”

Ekspertët e turizmit megjithatë shpresojnë që destinacionet si Nivica të mos keqpërdoren. Shpesh paketat e lira që për 1500 lekë realizojnë transportin dhe guidën nga Tirana për në Nivicë janë duke lënë të ardhura minimale si dhe shfrytëzim të pakujdesshëm për zonën.

Top Channel