Një person është vrarë dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri, që janë regjistruar sot rreth orës 11:27 në Tregun e Gjelbër, në Mitrovicë.

Lajmi është konfirmuar për mediet në Kosovë nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 11:27, policia në Mitrovicë është njoftuar për një rast në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë ku është përdorur arma e zjarrit. Autoritetet policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Policia ka kuptuar se një person mashkull kosovar, ka shtënë në drejtim të tre personave, të cilët janë të plagosur. Ata janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

Gjithashtu edhe i dyshuari është i lënduar. Ai është arrestuar nga autoritetet policore dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Zahiti. Ai konfirmoi se njëri nga të plagosurit ka ndërruar jetë.

Top Channel