Vrasjet në Indianapolis; 8 të vdekur, 60 të plagosur në magazinën e FedEx (fotot)

16/04/2021 15:30

Të paktën tetë njerëz kanë vdekur e dhjetra të tjerë janë plagosur në një magazinë të agjencisë postare FedEx pranë aeroportit të Indianapolis në SHBA, teksa policia e shpalli ngjarjen “incident të humbjeve masive të jetës”.

Sulmuesi që hapi zjarr pa diskriminim në magazinën postare, më pas vrau veten, konfirmoi policia.

Zëdhënsja e policisë së Indianapolis, Genae Cook tha: “Kur oficerët arritën në vend, incidenti me armë ishte në vijim. Ne lokalizuam tetë njerëz me plagë armësh, të cilët u shpallën të vdekur në vendngjarje.”

Cook shtoi se ende nuk dihet motivimi i vrasësit dhe nuk është e qartë nëse ai ishte punonjës i impjantit.

Vrasësi kishte hapur zjarr me një automatik dhe dëshmitarët thonin se sulmuesi kishte ndjekur viktimat në vendet ku ata ishin fshehur.

Jeremiah Miller tha: “Pashë nga dera e hyrjes dhe një burrë me automatik po qëllonte në drejtime të ndryshme. Menjëherë u fsheha, nëna e një shokut tim më tha të futeshim në makinë”.

Ndërtesa u evakua pas incidentit dhe pamjet nga skena tregonin grupe punonjësish që ishin mbledhur jashtë saj.

Sipas raportimeve, dy nga të plagosurit po luftonin për jetën në spital.

Policia e Indianapolis shtoi se vrasësi ka vrarë veten, pa dhënë detaje të mëtejshme.

FOTO GALERI
3/5
Policia e shpalli ngjarjen “incident të humbjeve masive të jetës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA