Përse infektohesh edhe pas dozës së parë të vaksinës? Brataj: Ja përse ndodh kjo!

16/04/2021 16:31

Shefi i Urgjencës Skënder Brataj ka shpjeguar se pse ndodh infektimi me covid edhe pasi ke marrë dozën e parë të vaksinës.

Në një postim në twitter ai shkruan se: Antitrupat fillojnë të prodhohen në nivele të larta pas 7-10 ditësh nga marja e dozës së dytë.

Postimi i mjekut

Që nga fillimi i vaksinimit ka pasur jo pak raste infektimi me SarsCov2 edhe në ato raste kur është marë doza e parë e vaksinës. Nuk është vaksina që shkakton sëmundjen e Covid-19, por infektimi me SarsCov2. Specifikoj se ka pasur raste për të gjitha llojet e vaksinave që janë administruar në Shqipëri! Antitrupat kundër SarsCov2 fillojnë në javën e dytë pas injektimit të vaksinës.

Po ashtu përgjigja imunitare pas dozës së parë nuk është e lartë që të na mbrojë nga infektimi, por sidomos nga format e rënda. Antitrupat fillojnë të prodhohen në nivele të larta pas 7-10 ditësh nga marja e dozës së dytë. Vërtet që vaksina ul infeksionin dhe rastet e rënda por nëse infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë rreziku është i lartë. Ne mund të infektohemi dhe të shfaqim sëmundjen e Covid-19 me të gjitha format e sajë, të lehta, të mesme dhe të rënda. Respektimi i masave mbrojtëse është i domosdoshëm, sidomos në këtë periudhë tranzitore.

Edhe pak durim, derisa të fitojmë këtë betejë të fundit me virusin. Jeta është pasuria më e madhe që kemi, prandaj ne duhet ta ruajmë atë!
Dr. Skender Brataj

Top Channel