Merkel e Biden bashkë kundër Rusisë, “ultimatum” Moskës

16/04/2021 02:52

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti amerikan Joe Biden dolën në një përfundim të qartë gjatë bisedës së tyre urgjente telefonike. Rusia duhet të largojë trupat e dërguara në kufirin me Ukrainën, sepse vetëm kjo do të ndihmonte në uljen e tensioneve të këtyre ditëve, që po vijnë në përshkallëzim.

Të dy liderët kanë insistuar në bisedën ems tyre se është e domosdoshme që Moska të tërheq trupat nga rajoni. Njoftimi për telefonatën u bë nga ana e zyrës së kancelares Merkel.

Rusia ka shtuar kohët e fundit trupat në kufi me Ukrainën duke ngjallur shqetësim mes vendeve perëndimore. Bisedimet mes Merkel dhe Biden pasuan pikerisht takimin urgjent të ministrave të NATO-s në Bruksel të cilët ngritën çështjen e situatës në kufirin ruso-ukrainas. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se NATO-ja i aleanca i ben thirrje Rusisë të “ndalojë provokimet “, ndërsa ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer gjithashtu më herët e akuzoi Moskën se po kërkon të rrisë tensionet.

Në Uashington, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, i tha një komiteti të Senatit të SHBA-së, që situata duhet të merret seriozisht nga ana e Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Rusia ka këmbëngulur se ajo dërgoi trupa në kufijtë e saj perëndimorë për stërvitje luftarake për shkak të “kërcënimeve” nga aleanca transatlantike.

Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në mars të vitit 2014, duke dërguar trupa dhe duke organizuar një referendum që u shpall i paligjshëm nga të paktën 100 vende. Moska gjithashtu mbështet separatistët në një luftë kundër forcave të qeverisë ukrainase. Deri më tani janë vrarë më shumë se 13.000 njerëz në Ukrainën Lindore.

Top Channel