Komiteti kundër grushtit të shtetit në Mianmar formon qeveri civile kundër qeverisë ushtarake

16/04/2021 13:59

Komiteti Përfaqësues i Asamblesë Kombëtare (CRPH), i formuar nga deputetët e zgjedhur kundër grusht shtetit për të rikthyer qeverinë civile në Mianmar, njoftuan se kanë formuar qeveri civile kundër qeverisë ushtarake.

Në një deklaratë nga CRPH thuhet se “Duke u bazuar në kompetencën e dhënë nga populli pas zgjedhjeve në vitin 2020 shpallin formimin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar (NUG) të përbërë nga deputetët e zgjedhur”.

Në deklaratë gjithashtu u njoftua edhe lista e kabinetit me 15 emra të Qeverisë së Unitetit Kombëtar.

Aung San Suu Kyi në kabinetin e qeverisë civile

Në kabinet ish-presidenti i Mianmarit Win Myint, ndodhet sërish si “president i shtetit”, ndërsa ish-liderja nën arrestim Aung San Suu Kyi është ngarkuar me detyrën e “Këshilltares shtetërore”.

Ndërsa Mahn Win Khaing Than, një prej drejtuesve të lartë të partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci e Suu Kyi është emëruar si “kryeministër”.

CRPH e cila është formuar nga deputetët e zgjedhur pas grusht shtetit më 1 shkurt, njoftoi më 1 prill se nuk e njohin kushtetutën në fuqi të bërë nga ushtria e Mianmarit në 2008.

Komiteti kishte deklaruar se në javën e parë të prillit do të përfundonin punimet për formimin e qeverisë civile.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest./AA/

Top Channel