Vrasja e gazetarit grek, dyshohet se ishte shënjestër e kriminelëve grekë dhe shqiptarë

15/04/2021 10:11

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e gazetarit grek në prag të shtëpisë së tij më 9 prill.

Policia po përpiqet të marrë pamjet filmike të tre ditëve të fundit para se të ekzekutohej. Mbetet mister se ku ndodhet motori me të cilin dy persona lëvizën pranë shtëpisë së George Karaivaz dhe e qëlluan me armë.

Teksa ditët kalojnë, ekziston mundësia që e kanë fshehur në një vend shumë të sigurt ose e kanë çmontuar. Ekspertët dyshojnë se viktima u bë një shënjestër e kriminelëve grekë dhe shqiptarë, ose personave të tjerë që duke hyrë në shtetin grek, erdhën në një “mision kriminal”, raportojnë mediat greke.

Oficerët që janë ngarkuar në zbardhjen e ngjarjes së rëndë janë duke u përpjekur të deshifrojnë celularin, laptopin dhe thirrjet e fundit telefonike që ka marrë gazetari.

Sipas medieve greke kanë qenë tre grupe që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e tij. Analistët e Sigurimit thonë se ndaj gazetarit është bërë edhe një plan i mëhershëm për ta vrarë, por arsyet se përse është anuluar janë ende të panjohura, por dyshohet se arsye e anulimit ka qenë fakti se George Karaivaz pas punës në televizion, kthehej vonë në shtëpi, pasi shkonte për disa takime biznesi.

Top Channel