Neni 122, përhapje e sekreteve vetjake/ SPAK cakton prokuror për “patronazhimin”, dolën të dhënat

15/04/2021 15:10

Pak ditë më parë shefi i SPAK tha se shumë shpejt do të kishte një vendim për çështjen e listës me emrat e votuesve në Tiranë dhe me të dhënat për të cilët u tha se ishte përgatitur nga partia socialiste.

Sot hetimi është regjistruar dhe do nisë procesi. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën me dije se pas 4 ditësh verifikime nga SPAK mbi skandalin e patronazhimit, sot bën me dije jozyrtarisht se ka regjistruar hetimet për veprën penale “Përhapje e sekreteve vetjake”.

Është hedhur shorti dhe kjo çështje i ka rënë prokurores së posaçme të çështjeve kundër korrupsionit, Enkelejda Millonai.

Burime jozyrtare bënë me dije për gazetaren Anila Hoxha se gjatë ditës, oficerët e policisë gjyqësore janë urdhëruar që të bëjnë këqyrje të database por pa specifikuar nëse bëhet fjalë për këqyrje në një media që publikoi për herë të parë skandalin e patronazhimit apo për këqyrje të database-ve në një subjekt politik.

Prokurorët e SPAK kanë mbajtur nën vëzhgimin e tyre gjatë këtyre orëve  shumë media dhe janë këqyrur të dhënat me të cilat janë hedhur të dhënat sipas të cilave ekziston një database e 910 mijë shtetasve në kryeqytet, ku përfshihen dhe zyrtarët më të rëndësishëm në vend. Aty janë mbledhur të dhënat, numrat e telefonit, adresa, vendi i punës dhe përkatësia politike. Pritet që të ketë persona të caktuar që do të pyeten për këtë çështje që është procedim penal.

Top Channel