Roma në garë për të shpëtuar pishat emblematike nga paraziti vrasës afrikan (fotot)

15/04/2021 18:19

Presidenti i rajonit të Lazio ku përfshihet dhe Roma tha sot se kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për parazitin që ka pushtuar pishat e famshme ‘ombrellë’ të kryeqytetit italian.

Pishat e larta të Romës, të cilat janë po aq pjesë e panoramës së kryeqytetit sa dhe monumentet e tij antike, janë infektuar nga paraziti agresiv i njohur si ‘luspat kurriz-breshkë’.

Pemët në verë ofrojnë lehtësim nga nxehtësia e Romës ndërsa nëse lejohet të mbetet i patrajtuar, paraziti me origjinë nga Afrika e Veriut mund t’i vrasë ato brenda dy-tri vjetëve.

Studiuesit thonë se paraziti ka mbërritur në Rome tre vjet më parë dhe tashmë ka infektuar 80% të rreth 1 milionëve pishave të larta që zbukurojnë rrugët e qytetit, parqet si dhe zonat bregdetare më në perëndim.

Pas protestave të grupeve mjedisore dhe rezidentëve ku kërkohej veprim kundër parazitëve, Nicola Zingaretti, president i rajonit të Lazio, tha se fond prej €500,000 do të vihet mënjanë për të shpëtuar pishat e kryeqytetit, për të cilat ai tha se ishin “pjesë natyrale dhe kulturore e trashëgimisë, e cila duhet të mbrohet”.

“Kemi pranuar thirrjen e alarmit nga shumë qytetarë dhe shoqata të Romës. Rajoni i Lazios do të bëjë detyrën e tij,” tha Zingaretti.

Një program për shpëtimin e pemëve ishte hartuar prej vitit 2019 nga autoritetet e Lazio dhe Romës, por u la mënjanë prej pandemisë së koronavirusit.

“Tani situata kërkon veprim të menjëhershëm,” tha Zingaretti, duke shtuar se mijëra pemë të reja do të mbillen në rajon, por prioriteti do të mbetet shpëtimi i atyre ekzistuese.

Plani i shpëtimit përfshin injektimin e trungut të pemëve një mjekime kundër parazitit, i cili ushqehet me rrëshirën dhe lëkurën e trungut të tyre, duke shkaktuar përhapjen e një myku të trashë të zi, i cili rrjedhimisht shkakton prishjen e gjetheve në formë gjembash të pemës.

Paraziti mbërriti në vitin 2014 në rajonin e Campania ku përfshihet Napoli, duke shkatërruar mijëra peme, e tashmë është ngjitur drejt veriut duke përfshirë pishat e kryeqytetit.

Italia Nostra, një grup për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, tha se “ndërhyrje masive e menjëhershme” nevojitet pasi pemët “janë drejt zhdukjes”.

Tashmë në disa zona të Romës pishat janë pranë vdekjes dhe zgjidhja e vetme është prerja, çka ka sjellë reagime të ashpra nga rezidentët, të cilët shtojnë se mosmirëmbajtja e tyre e ka përkeqësuar problemin.

FOTO GALERI
1/6
Pishat e larta të Romës, pjesë e panoramës së kryeqytetit sa dhe monumentet e tij antike, janë infektuar nga paraziti agresiv

Top Channel