Rikthehet Indiana Jones, por me regji dhe prurje të reja

15/04/2021 12:51

Saga e famshme e filmave Indiana Jones pritet të kthehet në ekranin e madh të kinemasë.

Pasi stafeta e regjisë kaloi nga Steven Spielberg tek regjizori James Magold, mbërrin  një tjetër risi për filmin e famshëm i cili pritet të dalë në kinema qershorin e vitit 2022. Bëhet fjalë për aktoren dhe skenaristen e talentuar Sarà Phoebe Waller-Bridge, e cilado të jetë në krah të aktorit tashmë të konfirmuar Harrison Ford.

Kapitulli i ri i Indiana Jones ka që në vitin 2016 që po përgatitet, po mesa duket, ka pasur shumë ndryshime e vështirësi si nga ana ligjore, ashtu dhe përsa i takon skenarit dhe gjetjes së aktorëve të duhur. Pandemia gjithashtu ndikoi në shtyrjen e realizimit të projektit. Më në fund megjithatë, autorët arritën ta japin njoftimin se filmi do të nisë xhirimet majin e këtij viti, edhe pse pak të dhëna ka për kapitullin e ri të sagës, që vjen me 13 vite distancë nga filmi i fundit.

Ditën që filmi do të dalë në sallat e kinemave botërore,  Harrison Ford do të mbushë plot 80 vjeç. Sa i përket aktores dhe skenaristes Waller – Bridge, fituese e një Golden Globe-i dhe Bafta, karriera e saj është në ngjitje marramendëse. Pas suksesit në Fleabag dhe skenarit të sagës së agjentit sekret 007 në No time to die, atë do ta shikojmë dhe në serialin e ri Mr. and Mrs Smith, prodhuar nga Amazon.

Top Channel