Rama e Manastirliu në maternitetin e ri të Lezhës: Me standarte europiane, po ndërtojmë edhe 3 maternitete në vend

15/04/2021 19:04

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar Maternitetin e ri të Lezhës, një investim i qeverisë shqiptare në vlerën 2.9 milionë euro, i cili do të ofrojë standardin më të lartë të shërbimit për banorët e kësaj zone.

“Është një maternitet i plotësuar me të gjithë standardet, i ndërtuar në një periudhë të vështirë, por ia dolëm. Një ëndërr shumëvjeçare për banorët e kësaj zone, e bërë realitet”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë tre maternitete të reja të ndërtuara në mandatin e fundit, që ofrojnë shërbim me standarde.

“Pas Maternitetit te Sarandës, maternitetit të Korçës, ky është materniteti i tretë që ndërtojmë plotësisht në mandatin tonë dhe ndërkohë që kemi për të përfunduar brenda këtij viti maternitetin e Beratit dhe Kukësit. Kemi filluar punën dhe për rindërtimin dhe rehabilitimin për maternitetin ‘Mbretëresha Geralidinë’ në Tiranë“, tha Manastirliu.

Ndërtimi i Materniteti të ri të Lezhës është mbi 3000 m2 sipërfaqe ndërtimi, godinë me 5 kate dhe kapacitet prej 50 shtretër, salla lindje, 2 salla interventesh kirurgjikale dhe njësia e terapisë intensive, sipas standardeve më të mira.

Top Channel