Punonjësja e ndërtimit qëllohet për vdekje gjatë pushimit, në New York (fotot)

15/04/2021 15:21

Një punonjëse ndërtimi është qëlluar për vdekje me armë dje në City Island në New York, nga një sulmues që teksa largohej me biçikletë u godit nga një makinë në lëvizje.

52 vjeçarja Lizbeth Mass u qëllua disa herë me armë teksa ishte në pushimin e drekës dje në City Island.

Por vrasësi, gjatë arratisjes së tij me biçikletë u godit nw dukje qellimisht, nga makina e një tjetër punonjësi ndërtimi dhe pak më vonë u arrestua nga policia, njoftonin mediat vendase.

Mass u dërgua me urgjencë në spitalin Jacobi ku dhe vdiq, njoftoi policia.

Një nga kolegët e saj tha se gruaja ishte në pushimin e drekës kur u sulmua.

“Ai me biçikletë erdhi duke i ulëritur dhe më pas e qëlloi me armë! Ndërsa ai me makinën e zezë Hyundai e goditi qëllimisht vrasësin, doli nga makina dhe e goditi me shkelma,” tha dëshmitari okular që refuzoi të emërohej.

Mass ishte e njohur për banorët lokale pasi punonte prej një viti në kantierin e ndërtimit.

“Të gjithë e përshëndesnin dhe i buzëqeshnin asaj pasi mbante një kapele rozë. Ishte një person shumë i dashur, nuk mund ta besoj këtë që ndodhi”, shtoi dëshmitari.

Policia tha se vrasësi u dërgua në spital për plagët e përplasjes. Zyrtarët thanë se konflikti mund të ketë nisur nga një debat shtëpiak mes të dyve.

Një tjetër dëshmitar i lokalitetit tha se vrasësi e njihte viktimën dhe zakonisht i sillte asaj drekën në punë

“Ai i sillte asaj sanduiçë çdo ditë, por sot i solli plumba”, tha ai.

 

FOTO GALERI
1/3
Skena ku punonjësja e ndërtimit u qëllua për vdekje në City Island, më 14 prill 2021.

Top Channel