Parada e “Vladit”, Putin nxjerr në rrugë tanket dhe raketat

15/04/2021 12:57

Avionët luftarakë rusë kryen lëvizje akrobatike në ajër, ndërsa tanket e trupat ushtarake mbushën rrugët një show gjigant force gjatë përgatitjeve për paradën e madhe të Ditës së Fitores.

Eventi i përvitshëm shënon përvjetorin e triumfit të Rusisë mbi Gjermaninë Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai do të zhvillohet në Sheshin e Kuq të kryeqytetit rus në 9 maj, pavarësisht pandemisë së koronavirusit.

Ushtarët marshuan në formacione të rregullta në terrenin e stërvitjes, Alabino, me maska në fytyrë dhe flamuj të kuq në duar, teksa stërvitjes gjigante iu bashkuan edhe tanke e raketahedhës. Parada – tani në vitin e saj të 76-të – mbahet në kujtim të 20 milion jetëve Sovjetike të humbura gjatë luftës. Pamjet filmike të publikuara nga Ministria Ruse e Mbrojtjes treguan ushtrime stërvitore në lartësi të ulët ku shiheshin helikopterë luftarake Mi-35 dhe Ka-52 si dhe ekipi aerobatik i Berkut me helikopterë Mi-28N.

Gjashtë avionë Su-25 do të përdoren për të kryer akrobacitë ajrore e për të pikturuar flamurin rus në qiellin mbi Sheshin e Kuq. Ministria njoftoi se disa transportues raketash do të shfaqen gjithashtu në paradë, përfshirë Tu-160 dhe Tu-95MS. Përgatitjet për paradën vijnë në kohën e një përshkallëzimi të tensioneve dhe dhunës në kufirin e Rusisë e Ukrainën.

Moska prej disa javësh po dislokon gjithnjë e më shumë trupa në rajonet kryengritëse, në kufijtë e pjesës tjetër të Ukrainës në gadishullin e aneksuar të Krimesë në Detin e Zi. Sipas vlerësimeve të aleancën ushtarake perëndimore bëhet fjalë për disa dhjetëra mijëra forca, duke ngjallur shqetësimin e NATO-s.

Top Channel