Greqia regjistron përsëri mbi 100 viktima.

Autoritetet greke kanë bërë me dije se përsëri vendi ka regjistruar numër rekord të intubuarish 819, prej fillimit të pandemisë, një shifër në rritje në tre ditët e fundit. Po ashtu 104 persona kanë humbur jetën shifër kjo që ka sjellë Greqinë përsëri në nivelet e muajit dhjetor kur ndodhej në kulmin e valës së dytë të pandemisë. Edhe numri i rasteve në 24 orët e fundit është përsëri i lartë mbi 3830.

Ditët e fundit përveç presionit që përballon sistemi spitalor në Athinë, vërehet se edhe në Selanik numri i të shtruarve në spitale dhe në dhomat e terapisë intensive po rritet jashtëzakonisht duke shkuar pranë gjendjes alarmante të nëntorit dhe dhjetorit të kaluar.

Opozita greke akuzon qeverinë për menaxhimin e pandemisë si dhe për mungesën e dëshirës për të përforcuar sistemin publik të shëndetësisë. Nga ana e saj qeveria thotë se me rritjen e numrit të vaksinimeve dhe të self-testeve falas që fillojnë të aplikohen prej së hënës edhe në sektorin privat do të fillojë rënia e numrit të rasteve dhe të viktimave që tashmë ka shkuar në9239.

Top Channel