‘Ne fituam luftën, Amerika humbi’, thonë talibanët në Afganistan (fotot)

15/04/2021 17:38

Duke kaluar mes territorit të kontrolluar nga Talibanët, rreth 30 minuta larg qytetit verior afgan të Mazar-e-Sharif, shihen kratere të mëdha të mbetura nga shpërthimet në rrugë dhe shtëpi të rrafshuara nga lufta.

Një grup xhirimi i rrjetit BBC takon atje Haji Hekmat, kreun e vjetër taliban të zonës  Balk, që lufton me ta prej viteve 1990-të.

Për ardhjen e gazetarëve militantët kanë përgatitur një shfaqje force me njerëz të armatosur në dy anët e rrugës, një prej të cilëve me granata lëshues dhe një tjetër më mitraloz M4 të kapur nga forcat amerikane.

Balkh ka qenë më parë një nga zonat më të stabilizuara të vendit, por tani është nga më të dhunshmet.

Lideri vendas Baryalai, tregon me dorë nga rruga e thotë: “Forcat qeveritare janë aty pranë tregut, por kanë frikë të dalin nga baza, ky është një territor i muxhahadinëve”.

Me njoftimin e largimit të forcave amerikane nga vendi, Talibanët besojnë se kanë fituar luftën. Pasi ulen për një gotë çaj jeshil,  Haji Hekmat thotë: “Ne e kemi fituar luftën dhe Amerika humbi”. Dhe për momentin euforia është në anën e militantëve.

Hekmat vazhdon më tej: “Jemi gati për gjithçka. Jemi plotësisht të përgatitur për paqen, dhe gjithashtu dhe për xhihad”.

Por “xhihadi” i talibanëve ka marrë një tjetër kuptim, pasi pas marrëveshjes me SHBA në kohën e presidentit Trump, ata ndaluan sulmet ndaj tyre, për të vazhduar vetëm ato kundër qeverisë afgane. Megjithatë Hekmat, thotë se nuk ka kontradikta. “Ne duam qeveri islamike sipas ligjit Sharia. Do të vazhdojmë xhihadin derisa të pranohen kërkesat tona.”

Tanimë talibanët nuk e shohin veten si grup rebel, por si një qeveri në pritje. Ata e quajnë veten “Emirati Islamik i Afganistanit”, siç quheshin para 11 Shtatorit 2001 kur ishin në pushtet.

Kur ishin në pushet në vitet 1990-të, Talibanët ndaluan arsimin e vajzave, por zyrtarisht nuk e pranojnë këtë, madje thonë se janë në favor të arsimit.

“Për sa kohë që ato mbajnë veshur hixhabin (veshjen islamike), është e rëndësishme që vajzat të studiojnë. Përsa kohë që ndiqet ligji Sharia, nuk ka asnjë problem,” thotë Mawlawi Salahuddin, i komisionit vendas Taliban për arsimin.

BBC shkruan se vlerat shoqërore të Talibanëve nuk përplasen shumë me ato te popullit në fshatrat afgane por më shumë me popullsinë e qyteteve të mëdha, e cila i trembet rikthimit të regjimit islamik dhe reduktimit të të drejtave.

Një rezident vendas u tha gazetarëve se talibanët ishin shumë më të rigorozë sesa tregonin në intervistat e tyre me gazetarët, duke përmendur se fshatarët qëllohen me shuplakë ose rrihen kur rruajnë mjekrën e tyre, apo kur dëgjojnë muzikë. “Njerëzit nuk kanë mundësi zgjedhjeje, do të bëjnë si thonë ata. Edhe çështjet e vogla mund të kthehen në fizike. Njerëzit janë të frikësuar”.

FOTO GALERI
1/6
Duke kaluar mes territorit të kontrolluar nga Talibanët shihen kratere të mëdha të mbetura nga shpërthimet

Top Channel