Greqia planifikon të heqë kufizimet e karantinës nga java e ardhshme për udhëtarët nga Bashkimi Evropian dhe nga pesë vende të tjera. Lajmin e ka konfirmuar për agjencinë Reuters një zyrtar i lartë i qeverisë duke ruajtur anonimatin.
Sipas tij qytetarët nga BE, SHBA, Britania, Serbia, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të lejohen të udhëtojnë në Greqi përmes aeroporteve të Athinës, Selanikut, Iraklios, Chanias, Rodosit, Kosit, Mykonos, Santorinit, Korfuzit, dhe dy vendkalimeve kufitare tokësore.
Pasagjerët nga këto vende nuk do karantinohen, nëse kanë çertifikatën e cila vërteton se kanë marrë dy doza të vaksinës COVID-19 ose tregojnë një test negativ molekular (PCR) të kryer 72 orë para mbërritjes së tyre. Ne mars autoritetet hoqën karantinën për udhëtarët izraelitë që plotësojnë këto kushte.
Ministri i Turizmit që ka pohuar sërish në parlament se Greqia do të hapë sektorin e saj të turizmit në 14 maj, ka treguar edhe bisedimet që ai ka bërë me shumë vende ballkanike për ardhjen e turistëve, përveç Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjes. “Vizitova shumë vende javët e fundit dhe shumica e tyre – nëse jo të gjitha – ishin të interesuar për Greqinë e Veriut, përkatësisht Rumania, Serbia. Gjithashtu bisedova me ministrin e Shëndetësisë të Maqedonisë se Veriut për t’i shpjeguar detaje të planin tonë si do të rihapim turizmin dhe sigurisht si do të ndodhë kjo në kufijtë mes vendeve tona”- tha Haris Theocharis.
Ndërkohë sipas ministrit të Punësimit, autoritetet greke që po hapin procesin e vaksinimit edhe tek punonjësit e turizmit, sidomos në ishuj, do të aplikojnë self-testet, përveç se tek nxënësit e shkollave dhe mësuesit, edhe në sektorin privat.
Kështu çdo i punësuar apo sipërmarrës në dyqanet e pakicës, supermarketet, dyqanet ushqimore, transportet detare, tokësore e ajrore, në shërbimet e pastrimit, sallonet e bukurisë, floktoret dhe shërbimet e lojërave të fatit dhe basteve do të marrë një test falas në javë dhe nëse del negativ do të vazhdojë punën, në rast të kund[r do të ndiqet procedura e njohur dhe do të ketë gjoba për ata që nuk deklarojnë rastet pozitive.
Top Channel