Dendias do të takohet me Erdogan/ Zhvillime pozitive në marrëdhëniet greko-turke

15/04/2021 08:37

Gjatë vizitës së tij në Turqi, e programuar për datën 15 prill, ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, përveç takimeve me homologun e tij Chavushoglou, pritet të takohet me presidentin turk Erdogan.

Lajmi bëhet publik prej ministrisë së jashtme greke, e cila konfirmoi gjatë mbrëmjes të së mërkurës se presidenti turk Erdogan ka kërkuar një takim jashtë atij zyrtar të fiksuar në agjendën e takimeve të zotit Dendias në Turqi.

Sipas palës greke, takimi do të zhvillohet ditën e enjte 15 prill në orën 15 sipas orës lokale.

Ende nuk dihet me saktësi se çfarë do të bisedohet, por pala greke bëri publike në vija të përgjithshme temat e bisedimeve janë të shumta.

Ka qenë më herët ndërmjetësia e kryeministrit Shqiptar Edi Rama pak muaj më parë, për të bërë të mundur që palët të nisin fillimisht bisedimet teknike mes të dy vendeve, për të vazhduar më pas me bisedimet për një sërë temash që preokupojnë marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes Athinës dhe Ankarasë.

Burime diplomatike greke i thanë Top Channel se, pavarësisht atyre që dy palët i quajnë “vijat e kuqe” në marrëdhëniet mes tyre, duket se do të ketë negociata për një zgjidhje të mundshme të çështjes së Qipros, çështje që tashmë u është kthyer të dy palëve në një problem me kosto të lartë politike dhe ekonomike.

Çështja e kërkimeve për hidrokarbure në detin Egje që për pak çoi në një konflikt të armatosur verën e vitit të shkuar, por edhe situata në Ukrainë dhe pozicionet që dy vendet do të kenë në një konflikt të armatosur në Ukrainë, pritet të jetë një tjetër temë e bisedimeve mes Erdogan dhe Dendias.

Çështja e Libisë dhe ndarja e ujerave territoriale mes Athinës dhe Tripolit, por edhe sheshimi i problemeve që lindën prej marrëveshjeve të Ankarasë me Tripolin, dhe marrëveshjes tjetër për ndarjen e ujerave territoriale dhe zonës ekskluzive mes Greqisë dhe Egjiptit është një tjetër temë e zjarrtë në bisedimet mes Dendias dhe Erdogan.

Të njëjtat burime, i thanë Top Channel se zoti Erdogan do të pranojë një takim të shpejtë me kryeministrin grek Mitsotakis, ndoshta në pronën e këtij të fundit në Tania të Kretës, ose mund të preferohet edhe ndonjë vend-ndodhje e ndërmjetme, me ishullin grek të Rodosit ose në Qipro, për të dhënë mesazhin se pavarësisht ndasive, të dy vendet nuk kanë asnjë rrugë tjetër veçse të ulen të tryezën e bisedimeve.

Top Channel