Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla takoi sot ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Në një komunikim për mediat, Balla tregoi edhe pikat për të cilat diskutoi me ambasadorin.
Për mua gjëja më e rëndësishme që diskutova me ambasadorin italian është fillimi i punimeve të kompanisë më të madhe italiane, ‘Eni’ në qarkun e Elbasanit e cila do të na mundësojë jo vetëm më shumë vende pune në këtë qark por sigurisht do të na mundësojë një shfrytëzim më të mirë të rezervave natyrore të kësaj zone në dobi të zhvillimit ekonomik dhe social të zonës tonë. Gjithashtu, kemi diskutuar me zotin ambasador edhe për mundësinë e qoftë të financimit qoftë të ndërtimit të Bypass-it të Elbasanit nga kompani të ndryshme të interesuara italiane dhe sigurisht kemi diskutuar edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, qoftë të fushatës qoftë të ditës së zgjedhjeve dhe që biseda ka qenë një bisedë shumë pozitive”, u shpreh Balla.

Balla foli edhe për procesin zgjedhor të 25 prillit, për të cilin shprehu besimin se çdo gjë do të shkojë siç duhet. Megjithatë, ai kishte edhe një thirrje për Partinë Demokratike. “Unë besoj që qoftë fushata, qoftë dita e zgjedhjeve do të mbyllen me qetësinë që e karakterizon popullin e nderuar të qarkut të Elbasanit dhe që thirrja ime është ndaj Partisë Demokratike dhe pjesës tjetër të opozitës që e shoqëron që duhet të marrim të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një proces të tillë dhe humbësi i zgjedhjeve duhet të garantojë njohjen e zgjedhjeve”.

Top Channel