Avokati i Zani Çaushit: Nuk takohet dot me familjarët, pandemia i ka shkaktuar presion të madh psikologjik

15/04/2021 11:59

Avokati i Zani Çaushit, Arben Lena ka treguar në “Breaking” në Top News se është rritur presioni psikologjik tek të gjithë të dënuarit gjatë periudhës së pandemisë pasi janë ndaluar takimet me familjarët.

“Periudha e koronavirusit është e rënduar për të gjithë të burgosurit se mungesa e takimit me familjarët është presion i madh psikologjik për të gjithë të burgosurit, përfshirë edhe Myrteza Çaushin. Është një situatë shumë e rëndë për të gjithë të burgosurit. Në situatën ku ndodhet, edhe Çaushi ka problemet e tij ndërsa ka ndalim të plotë të takimeve me familjarët. Në këtë rast do të shtoja dhe një problem kryesor që është mungesa e një database ose dokumentacioni të saktë që është evidentuar në shumë raste”, tha Lena.

Sa i përket kërkesës për lirinë me kusht, Lena nuk dha detaje por theksoi se duhet t’i referohemi legjislacionit të konventave në lidhje me kërkesat për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

“Kërkesat për lirimin me kusht të të burgosurve me burgim të përjetshëm bazohen vetëm në nenin 65 të Kodit Penal që është vetëm për këto kërkesa. Duke pasur parasysh që këto dënime kanë zëvendësuar dënimin kapital, në mënyrë të detyrueshme duhet t’i referohemi legjislacionit të konventave. Që të kemi një ide të qartë, në momentin që Shqipëria hoqi dënimin me vdekje, vendosi dënimin me burg të përjetshëm”, tha avokati Lena.

Në seancën e mbajtur para disa ditësh, u rrëzua kërkesa e tij pasi nuk plotësonte kriteret për lirinë me kusht. Zani Çaushin, një prej emrave më të njohur të botës së krimit i konsideruar si i forti i bandës së Çoles, nuk konsiderohet i rehabilituar pasi gjatë vuajtjes së dënimit është dënuar edhe për shkelje të tjera çka ka bërë që sjellja e tij të mos konsiderohet shembullore.

Nga ana tjetër Zani Çaushi në ditët në vijim ka një tjetër seancë të ndryshimit të nivelit të sigurisë së burgut pasi kërkon të kalojë nga siguria e lartë në atë normale.

Top Channel