Aksident në parkun e Divjakës/ Makina përplaset me pishat, vdes 19-vjeçarja. Trupi i pajetë bllokohet në automjet

15/04/2021 11:07

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në parkun e Divjakës gjatë ditës së sotme.

Një makinë tip Audi ka dalë nga rruga duke u përplasur me pishat. Burime për Top Channel bëjnë me dije se në aksident janë plagosur edhe 2 persona, të identifikuar si Vilson Hoxha nga Elbasani dhe Daniel Doda nga Vlora, 23 vjeç.

Ndërsa viktima është identifikuar si Elsa Meci, trupi i së cilës mbeti i bllokuar në automjet dhe u nxor nga forcat zjarrfikëse. Mësohet se ajo ishte e fejuara e njërit prej të plagosurve.

Dy te aksidentuarit janë nisur drejt spitalit të Traumës në gjendje të rëndë. Më rëndë paraqitet gjendja e Vilson Hoxhës.

Informacion paraprak: Sot rreth orës 10:25, në rrugën nga Divjaka për në plazh, automjeti tip “Audi“, me drejtues shtetasin V. H., 25 vjeç, banues në Divjakë, ka dalë nga rruga, ku për pasojë ka ndërruar jetë pasagjerja në mjet, shtetasja E. M., 19 vjeçe, banuese në Zharrnec, si edhe janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri ende i paidentifikuar, të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel