Problemet më të mëdha që ka Shqipëria/ Vlorë: 37% rendisin të parën papunësinë, 31% krizën ekonomike dhe 20% pandeminë

14/04/2021 22:20

IPSOS dhe Top Channel kanë bërë publike gjetjet e sondazhit të katërt në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Nga data 8 deri më 12 prill, janë intervistuar 1004 votues në qarkun e Vlorës, të cilët kanë treguar tre problemet më të rëndësishme me të cilat përballet Shqipëria dhe janë më të shqetësuar personalisht.

Papunësia renditet e para me 37%, 31% krizën ekonomike dhe 20% pandeminë nga Covid-19. Ndërsa pensionet e ulëta/rrogat e ulëta shqetësojnë 15% të anketuarve, 13% janë të shqetësuar nga infrastruktura, ndërsa nga 10% e cilësojnë si problem me të rëndësishëm shëndetësinë dhe korrupsionin.

Problemet e tjera që shqetësojnë më shumë qytetarët e Vlorës janë: drejtësia/mungesa e rregullit të ligjit 9%, shërbimet komunale (uji,dritat) 9%, standardet e ulëta të jetesës/varfëria 8%, emigrimi/ikja e të rinjve 7%, arsimi 6%.

Nga të anketuarit, 10% refuzojnë të përgjigjen dhe 12% përmendim probleme të tjera.

Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS), një nga kompanitë lider të sondazheve në botë, sonte në emisionin “Open” paraqet sondazhin e katërt të opinionit publik në Shqipëri mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Top Channel