Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Mamurras, ku mbetën të plagosur tre persona.
SHÇBA tregon dinamikën e ngjarjes. Gjithçka nisi pas një kontrolli që do bëhej në lokalin L.F. për lojërat e fatit por kjo gjë u kundërshtuar nga vëllezërit Fufi.
Pas refuzimit ata u shoqëruan në komisariat dhe më pas u lanë të lirë, kjo ka bërë që ata të presin efektivët të mbyllin turnin e punës duke i dhunuar më pas me sende të forta. Kjo ka bërë që një nga efektivë të nxjerrë armën dhe nga pakujdesia të plagosë dy koleget e tij dhe një nga vëllezërit Fufi.
Njoftimi i policisë:
Kurbin – SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka arrestuar 1 punonjës policie dhe 3 shtetas të tjerë në lidhje me ngjarjen e djeshme, ku mbetën të plagosur 3 persona.
Në datë 13 prill 2021 në Qendër Mamurras, rreth orës 13:50, tre shtetas kanë goditur me sende të forta, një punonjës policie, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin N.V. dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë I.Z. dhe F.LL. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm.
Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambjentet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.
Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë D.M. ka qëlluar me armë duke plagosur personat e sipërpërmendur.
SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka kryer veprimet hetimore të nevojshme dhe në 13.04.2021 u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve:
– GJ. (G) F., 40 vjeç, lindur e banues në Mamurras;
– N.V. (M.F.), 36 vjeç, lindur e banues në Mamurras;
– R.S. (F), 31 vjeç, lindur e banues në Mamurras.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.
Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë D.M. si dhe automjeti tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes.
Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore dhe pasojat e ardhura nga përdorimi i armës së zjarrit, u bë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor D. M., 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Top Channel