Kushi në takimin me Ambasadorin Izraelit: Krenari që nxënësit tanë të studiojnë vlerat mikpritëse të popullit shqiptar në strehimin e hebrenjve gjatë luftës

14/04/2021 09:25

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka mirëpritur në zyrën e saj Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Sh. T. Z. Noah Gal Gendler.

Gjatë takimit është diskutuar mbi marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve tona, mbi mundësinë e thellimit të mëtejshëm të tyre, dhe më konkretisht për rolin e luajtur nga Shqipëria për strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shqipëria ishte i vetmi vend ku hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt për qëndrim në kohën kur në të gjitha vendet e tjera të Europës ata po përndiqeshin dhe vriteshin në masë” – shprehet Ministrja Kushi në publikimin e saj, ndërsa cilëson se “bazuar në vlerat mikpritëse të popullit shqiptar dhe tolerancës fetare që na karakterizon, në Shqipëri u shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj, përveç atyre që kishin ardhur këtu që përpara Luftës së Dytë Botërore”.

Ministrja Kushi nënvizon gjithashtu se:

“Sot, me sytë nga historia, është krenari për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë të studiojnë thellësisht këtë kapitull mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, në një nga periudhat që është konsideruar nga më të errëtat në historinë e njerëzimit”.

Top Channel