Në Europë ka mungesa për vaksinën. Serbia merr tani një milionë doza vaksina nga Kina. Autori Miodrag Soric e sheh me shqetësim rritjen e reputacionit të Kinës komuniste në Ballkanin Perëndimor.
E vërteta më e preferuar e autokratëve është ajo që ata vetë e shpikin. Kur në pranverën e vitit të kaluar, erdhi papritur pandemia në Europë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u tall dhe e minimizoi atë. Pas një kohe ai e kuptoi, se kjo mund t’i bëhej vërtet e rrezikshme. Ai vendosi lockdownin, kaq të fortë, sa askund në Europë. Pak muaj më vonë ai deklaroi fitoren mbi pandeminë, gjë që lidhej me zgjedhjet parlamentare.
Ndërkohë Vuçiç e ka filluar sërish luftën kundër Coronës. Dhe mediat e kontrolluara nga regjimi i tij trumbetojnë: Serbia ndodhet në një situatë më të mirë se gati të gjithë europianët – falë udhëheqjes së mençur të Vuçiçit.
Mbrojtësi i popullit
Të gjitha këto kthesa, kërcime dhe shifra të shpikura nga Beogradi mund t’i bënte vëzhguesit të talleshin, nëse pandemia nuk do të ishte kërcënim serioz deri në vdekje. Kush ecën këto ditë nëpër rrugët e kryeqytetit serb, mund të mendonte, se si përmes një mrekullie, pandemia ka bërë një rrotullim të madh dhe e ka mënjanuar këtë vend ballkanik: kafenetë dhe restorantet janë të hapur, njerëzit qëndrojnë në radhë ngjitur me njëri-tjetrin në qendra tregtare. Shumica pa maskë, por edhe sikur ta mbajnë ajo varet poshtë hundës.
Serbët i inkurajon furnizimi me 1 milionë doza vaksine nga Kina. Rusia ka premtuar po ashtu të furnizojë vendin me vaksinën e zhvilluar. Presidenti Vuçiç përditë sillet para kamerave si mbrojtësi i popullit, njeriu që kontakton 24 orë me radhë qeveritë, koncernet farmaceutike apo autoritetet për të siguruar vaksina të jera. Ai flet, – me gabime në fakte dhe me ton të papërshtatshëm – për “luftën” e kombeve për vaksina. Kështu ai e inskenon veten si hero para popullit të tij.
Ka líderë politikë narcistë që kjo u nevojitet për egon e tyre. Por e sëkëlldishme bëhet, kur në të njëjtën kohë ata shohin nga lart poshtë shtete të tjera, fqinjë ose jo. Sistemi shëndetësor i Serbisë, për të cilin Vuçiç është përgjegjës, nuk është aspak ai sistem, me të cilin do mund të krenoheshe. Edhe shifrat zyrtare të Coronës nuk i beson askush.
Solidariteti brenda BE nuk është vënë në dyshim
Në perëndim vaksinat nga Kina apo Rusia nuk janë lejuar. Në të njëjtën kohë është trishtuese dhe vështirë e durueshme, që në BE dhe SHBA ka probleme me prodhimin e vaksinës kundër Coronës. Kjo do të kushtojë jetë njerëzish. Prandaj me të drejtë qeveritë, edhe ajo në Gjermani, janë nën presionin qytetar. E megjithatë: Solidariteti në BE nuk është vënë në dyshim. Gjermania si vendi më i madh dhe më i pasur nuk shtyhet për të dalë e para që të përshpejtojë procesin e vaksinimit për qytetarët e saj dhe tregon vëmendje për vendet më të vogla.
Serbia nuk është anëtare e BE. E megjithatë Brukseli ka transferuar miliona për të mbështetur vendet e Ballkanit në drejtim të luftimit të pandemisë. Kjo është diçka që Beogradi me dëshirë e injoron këto ditë. Me furnizimin e vaksinës, Kina e forcon qeverinë e Beogradit. Duhet të jesh shumë naiv që të besosh, se kjo ndodh për arsye humanitare, apo si kërkim faljeje për atë që virusi e kishte origjinën në Kinë. Pekini mendon në perspektivë. Nëse ka vështirësi për të hyrë sipërmarrje të mëdha në vende si Gjermania, Britania e Madhe, SHBA, në vende si Serbia apo Hungaria kjo mund të arrihet me pak para. Sipas këtij modeli Kina vepron me kohë në vendet e Afrikës apo Amerikës Jugore.
Gabimi strategjik i perëndimit
Që bota e lirë e sheh këtë pa pjesëmarrje dhe me indiferencë mund dhe duhet të kritikohet. Reputacioni i qeverisjes komuniste në Kinë po shtohet në Ballkan, Hungari apo diku tjetër. Me furnizimin e vaksinës, Pekini nuk premton vetëm ndihmë, ai e ofron atë praktikisht.
Lënia e Ballkanit Perëndimor në influencën kineze apo ruse në rritje, është një gabim strategjik i perëndimit. BE duhet të paktën të përshpejtonte anëtarësimin e Malit të Zi. Aty qytetarët i shfuqizuan pjesë të aparatit të vjetër komunist. Nëse angazhimi për demokraci ia vlen, atëherë Brukseli mund të jepte këtu një sinjal të qartë./ DW
Top Channel