Konflikti për një tubë uji i merr jetën 50-vjeçarit/ Bie në pranga edhe vëllai tjetër, pas krimit u arratis në pyll

14/04/2021 12:19

Ka rënë në pranga 1 ditë pas vrasjes së bashkëfshatarit të tij, Altin Mera.

Dy vëllezërit Muhamet dhe Altin Mera, përkatësisht 30 dhe 42 vjeç vranë me armë zjarri tip automatik komshiun Xhetan Konesha. 50-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, ku edhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Sipas banorëve të zonës konflikti është i vjetër dhe e ka zanafillën për një tubë uji.

Viktima ishte dhëndër në fisin Mera. Ndërkohë njëri nga autorët, Muhamet Mera është vënë në pranga. Ndërsa vëllai tjetër, i cili njihet nga banorët me emrin Nurçe u largua drejt pyllit dhe policia ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij ditën e sotme.

Policia njofton se ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetë dorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.

Njoftimi i policisë/ Dibër

Vihet në pranga personi i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit XH.K.

Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.

Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.
Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit M. M., i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA