Gjermania: Rusia po synon të provokojë me prezencën ushtarake në kufi me Ukrainën

14/04/2021 14:06

Gjermania ka akuzuar Rusinë se po synon të provokojë përmes rritjes së prezencës ushtarake në Gadushillin e pushtuar të Krimesë, dhe në pjesën e kufirit me Ukrainën, si dhe ka hedhur poshtë pretendimin e Moskës se është duke iu përgjigjur kërcënimeve nga NATO-ja.

“Bindja ime është se pala ruse është duke tentuar gjithçka për të nxitur reagim”, ka thënë ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer për televizionin publik ARD.

“Bashkë me Ukrainën, ne nuk do të hyjmë në këtë lojë”, ka thënë ajo, duke shtuar se është e qartë që Rusia “është duke pritur për ndonjë lëvizje, le të themi nga NATO-ja, për të pasur një pretekst që të vazhdojë veprimet e veta”.

Disa fotografi, incizime dhe të dhëna tjera sugjerojnë për lëvizje të mëdha të njësiteve ushtarake ruse drejt apo afër kufirit me Ukrainën dhe Krimenë e ankesuar nga Moska më 2014, gjë që ka rritur shqetësimet se Rusia është duke u përgatitur për të dërguar forcat në Ukrainë.

Ukraina dhe Perëndimi po ashtu fajësojnë separatistët e përkrahur nga Rusia, që zotërojnë rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut për përshkallëzimin e fundit të situatës, derisa Moska ka drejtuar gishtin te Kievi.

Kramp-Karrenbauer po ashtu ka hedhur dyshime në pretendimet e Moskës se prezenca në rritje ushtarake e Moskës është përgjigjje ndaj “kërcënimeve” nga aleanca transatlantike e NATO-s.

“Nëse kjo është manovër, siç thotë pala ruse, ekzistojnë procedura ndërkombëtare përmes së cilave një palë mund të krijojë transparencë dhe besim”, ka thënë ajo.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014.

Moska po ashtu përkrah separatistët në luftën kundër Qeverisë ukrainase, në të cilën janë vrarë më shumë se 13,000 persona në lindje të Ukrainës, nga viti 2014.

Meqë tensionet janë në rritje e sipër, presidenti amerikan Joe Biden, i ka bërë thirrje të martën homologut të tij rus Vladimir Putin, që të marrë masa për të ulur tensionet me Kievin, dhe ka propozuar një samit në mes të dy liderëve, në një shtet të tretë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA