Sherri i vëllezërve me fqinjin/ Vritet me kallashnikov 50-vjeçari në Dibër, arrestohet autori. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori

13/04/2021 12:38

Konflikti për motive të dobëta i ka marrë jetën një 50-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Luzni të Dibrës.

Autorët e ngjarjes së rëndë janë dy vëllezër, të cilët pasi e kanë plagosur 50-vjeçarin me kallashnikov janë larguar nga vendngjarja.

Policia ka mundur të arrestojë një prej vëllezërve, ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin i cili është larguar në drejtim të pyllit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip automatik, me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin, ndërsa policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Dibër

Plagosën me armë zjarri një shtetas, me pasojë vdekjen e tij, falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Policisë, kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes.

Shpallet në kërkim bashkautori tjetër i dyshuar.

Sekuestrohet edhe arma me të cilën dyshohet se autorët kanë plagosur me pasojë vdekjen, 50-vjeçarin.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër.

Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit A. M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll.

Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Top Channel