Vjedhjet tek vilat në Sauk/ Ja kush është Hektor Qiriazi, famëkeqi i dënuar me burg përjetë në Greqi. Zbulohet emri tjetër që përdorte

13/04/2021 14:38

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka siguruar fotografinë e Hektor Qiriazit, një ndër të arrestuarit për vjedhjet tek vilat në zonën e Saukut.

Përveç kësaj, mësohet se Hektori përdorte një tjetër emër dhe ndryshe njihet si Dorian Llamani. Ai rezulton i dënuar me burg të përjetshëm në Greqi, si pjesë e një grupi famëkeq për vjedhje me armë.

Sic raportoi edhe më herët Top Channel, një grup prej 4 persona janë arrestuar sot për vjedhje. Ata janë kapur menjëherë sapo kanë dalë nga vilat, të cilat ishin “të preferuarat e tyre”. Dyshohet se ata kanë vjedhur sasi lekësh që shkon në miliona.

Hektor Qiriazi, siç raportonte Top Channel në 2013, bënte pjesë në një grup famëkeq që prej kohësh terrorizonte Greqinë për vjedhjet e dhunshme që kryenin dhe jo vetëm.

Banda akuzohet për tentativa vrasjesh, përfshi edhe ndaj efektivëve të policisë, vjedhje qendrash tregtare, makina, bastisje shtëpish.

Në kuadër të operacionit “START & STOP” për vjedhjet tek vilat në Sauk, u bë arrestimi në flagrancë i:

Dorjan Llamani, 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;

Klodian Çypi, 34 vjeç, banues në Derven, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;

Halil Topalli, 29 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”;

Redian Begaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me parë për “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Moskallëzim krimi”;

Dajvid Dosti, 21 vjeç, banues në Poliçan, Skrapar.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 12.04.2021, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së banesës së shtetases B. S., të kompleksi i vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Top Channel