Vaksinimi masiv/ Qytetari nga Durrësi: Shumë pak kanë marrë vaksinën, duhet më tepër shpejtësi në këtë proces

13/04/2021 14:19

Procesi i vaksinimit vijon me ritëm të shpejtë dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 185 mijë të moshuar dhe më shumë se 260.000 vaksinime në total.

Edhe në qytetin e Durrësit vijon fushata e vaksinimit me moshat mbi 65 vjeç dhe që prej ditës së hënë me moshat +60. Një qytetar ka thënë për Top Channel se duhet më tepër shpejtësi në procesin e vaksinimit dhe se vaksina duhet të kryhet për të gjithë popullin.

“Thanë që lejohet, nuk prishet agjërimi nga vaksinimi. Konkluzioni është që mirë është, por shumë pak kanë bërë vaksina. Duhen bërë me më tepër shpejtësi sepse po bëhen bërë avash. Duhen bërë për të gjithë populli”, shprehet qytetari për Top Channel.

Ditën e sotme të gjithë besimtarët myslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të agjërimit. Për dilemat që shoqërojnë të gjithë besimtarët në këtë kohë të vështirë si pasojë e pandemisë së Covid-19, myftiu i Tiranës, Lauren Luli ka dhënë disa sqarime. Luli u shpreh se bërja e vaksinës nuk e prish agjërimin, sepse ajo nuk konsiderohet si diçka që ushqen trupin.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme mbërritën në Aeroportin “Nënë Tereza” 7020 doza të radhës të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me kompaninë amerikane.

Deri tani janë 396,560 doza vaksinash që kanë mbërritur në Shqipëri, nga të cilat janë kryer 267,541 vaksina.

Top Channel