Top Story/ Miliona nga dietat, karburanti e telefonat, ja cilët janë deputetët që fitojnë më shumë

13/04/2021 22:50

Top Story gjurmoi pagesat e kryera për përfitimet financiare të deputetëve për dy vite, atij 2018, dhe vitit 2020, që ishte një vit pandemik.

Konkretisht gjatë vitit 2018, dietat, karburanti, telefoni dhe shtëpitë me qira të deputetëve, pa përllogaritur këtu pagat, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plot 154 mln lekë.

Deputeti më i paguar gjatë 2018-ës rezulton të jetë deputeti i Partisë Socialiste për Vlorën Edmond Leka, i cili ka përfituar plot 2 mln lekë të reja dieta. Ai është një biznesmen, por sërish nuk ka hequr dorë nga dietat.

Në vend të dytë renditet deputetja e Partisë Demokratike, Izmira Ulqinaku dhe ai i PS-së Xhevit Bushaj, që u është rimbursuar respektivisht nga 1.8 mln lekë secili.

Adelina Rista një tjetër deputete e listës së PS-së për Fierin, është rimbursuar me 1.85 ml lekë dhe po ashtu edhe Fadil Nasufi, po nga Partia Socialiste, është rimbursuar me 18 mln lekë,

Tatiana Nurçe dhe Ilir Pendavinji , edhe këta të Partisë Socialiste, janë rimbursuar me nga 17.9 mln lekë secili.
Nadire Meçorapaj, kandidatja demokrate në Vlorë është rimbursuar me 1.78 mln lekë, ndërsa socialisti Luan Harusha me 1.77 mln lekë dieta.

Nard Ndoka deputet i Partisë Demokratike në Shkodër, rezulton të jetë një ndër deputetë më të paguar gjatë 2018-ës, me plot 1.76 mln lekë të reja dieta.

Paradoksalisht nga ana tjetër deputeti më pak i paguar gjatë 2018-ës, rezulton të jetë nënkryetarja e parlamentit, Vasilika Hysi, e cila është rimbursuar përgjatë gjithë vitit vetëm me 236 mijë lekë të reja.

Faturat e hoteleve kanë qenë një zë i rëndësishëm gjatë 2018-ës. Në total janë rimbursuar 1.3 mln lekë të reja vetëm për hotel.

Faturat e hotelit kryesohen nga Tatiana Nurçe e cila ka shpenzuar plot 246 mijë lekë të reja, më pas vjen Vilma Bello me 160 mijë lekë dhe Eduart Shalsi me 150 mijë lekë. Shpenzime për hotel përgjatë 2018-ës kanë raportuar edhe Luciano Boçi, Adelina Rista si dhe deputeti Xhemal Gjunkshi.

Viti 2020, është një tjetër vit i marrë në shqyrtim nga Top Story. Ndonëse ishte një vit pandemik dhe lëvizjet u kufizuan, nuk ka ndodhur kështu për deputetët. Ata kanë vijuar të fusin në portofolin e tyre dieta të majme.

Rimbursimi i karburantit, dietat për udhëtime brenda vendit, fatura e telefonit dhe pjesëmarrja në komisionet parlamentare nuk janë cënuar aspak, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe rregullave të reja ku u zhyt e gjithë bota.

Në total deputetët, përgjatë vitit 2020, kanë marrë 147 mln lekë dieta, ose vetëm 7 mln më pak se 2018-a, por duhet të kujtojmë se parlamenti
funksiononte jo më me 140 deputetë, pasi opozita e braktisi atë. Në total ishin 113 deputetë, sepse nuk u zëvendësuan të gjitha mandatet.
Përgjatë muajit janar 2020, deputetët kanë thyer rekord sa i përket dietave që jepen për udhëtime. 23 deputetë janë rimbursuar secili me një vlerë prej 137 mijë lekë në muaj vetëm për dieta.

Lista kryesohet nga deputeti i Vlorës në siglën e socialistëve, Andrea Marto. Gjatë muajit mars 2020, megjithëse vendi u fut në karantinë dhe ishin të ndaluara lëvizjet, ai është rimbursuar me plot 150 mijë lekë dieta për udhëtime.

Nga listat e pagesave të deputetëve që Top Story, ka në dispozicion, duket se gjatë marsit 2020, megjithëse Shqipëria u kyc në lok down për shkak të pandemisë së shkaktuar nga covid 19, duket se urdhri i kufizimit të lëvizjes nuk ka vlejtur për deputetët. Sipas këtyre raporteve finaciare ata duket se kanë udhëtuar pafund.

Në total gjatë muajit mars janë shpenzuar 7.7 mln lekë të reja për dieta, dhe një pjesë e konsiderueshme e deputetëve kanë përfituar nga 137 mijë deri në 112 mijë lekë vetëm dieta për udhëtime.

Top Channel