Top Story/ Braktisën parlamentin, por deputetët e opozitës do të paguhen deri më 2022

13/04/2021 23:12

Ligji është treguar shumë zemërgjerë edhe sa i përket atyre që braktisin parlamentin, apo e bojkotojnë atë.

Lanë mandatet, por 58 deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI-së që braktisën parlamentin në shkurt 2019 do të vazhdojnë të marrin përfitime financiare deri më 2022.

Kjo do të thotë se ish-deputetëve të opozitës joparlamentare nuk do t’u mungojnë privilegjet edhe pas djegies së mandateve. Neni 7 i ligjit për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit, tek kreu për pagesën kalimtare, parashikon që, pas largimit nga funksioni, u jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.

Në zbatim të këtij ligji deputetët e opozitës jashtëparlamentare, kanë përfituar dy paga të plotë dy muaj pas lënies së mandatit. Duke qenë se pagesa bruto është 156.770 mijë lekë të reja, secili prej tyre ka marrë 313 mijë lekë të reja për muajt mars dhe prill, megjithëse janë jashtë parlamenti. Duke filluar nga muaji maj 2019 dhe deri në mars 2022 ata përfitojnë 50% të pagesës bruto mujore.

Kjo përkthehet në 18 muaj për ata që mandatin e kishin për herë të parë dhe deri ne 3 vjet për ata që kanë më shumë se 1 mandat deputeti. Kjo pagesë kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, ndaj duke filluar nga muaji prill Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili iu drejtuan këtij institucioni me një shkresë zyrtare për të vijuar me pagesat, që ua jep ligji.

Duke iu referuar pagës mujore bruto të deputetit, do të thotë se ish-ligjvënësit e opozitës do të marrin çdo muaj, pa punuar, 78 mijë lekë. Më 2019, Ish-deputetët e PD, Jozefina Topalli dhe Arben Ristani fituan gjyqin ndaj Kuvendit të Shqipërisë, për pagat dhe dietat e dy viteve kur ishin në bojkot. konkretisht korrik 2014 – janar 2015 dhe shkurt-qershor 2017. Gjykata Administrative vendos në favor të ish deputetëve dhe detyruar Kuvendin t’u paguajë në total 10 milionë lekë të vjetra dy ish-deputetëve.

Rrugës ligjore i janë drejtuar dhe deputetë e mazhorancës së sotme, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Olta Xhaçka, Valentina Leskaj, Shegushe Ligori, etj, që kanë kërkuar 15 mln lekë të vjetra pagesa për vitet 2009-2010, kur deputetë e partisë Socialiste u futën në grevë urie. “Të jesh deputet është privilegj, është vlerësim, del përtej parasë, është përgjegjësi” u shpreh Vasilika Hysi, N/kryetare e Parlamentit.

Top Channel