Në gjyq për testin e së vërtetës/ Kushtetuesja po shqyrton ankesën për përdorimin e Poligrafit për agjentët e BKH

13/04/2021 20:12

Nga 60 që duhet të ishin në ekip, 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të hetimit po trajnohen në Akademinë e Sigurisë sipas modelit të FBI amerikane.

Por njëra nga provat që ata kaluan, pikërisht testi i poligrafit ka hapur konflikt këtu në Gjykatën Kushtetuese.

Por teksa kërkohet të shpallet antikushtetues procesi i nënshtrimit ndaj poligrafit i kandidatëve dhe drejtuesve të BKH, përfaqësuesja e kuvendit këmbënguli se makina e së vërtetës  po aplikohet si përpjekje për të pasur individë të besueshëm brenda  institucioneve  që do të hetojnë kriminelët dhe të korruptuarit. Përse atëherë kësaj makine nuk iu nënshtruan dhe prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm pyeti Gjykata Kushtetuese, që mori përgjigjen se ndaj tyre funksionojnë filtrat e Vettingut. Për kërkesën e dytë që po ashtu sheh  si të paligjshëm testimin psikologjik të forcave të policisë gjatë procesit të Vettingut, Gjykata Kushtetuese kishte pyetje se kur do të vijë koha e politikanëve.

Për kërkesën e dytë, gjykata kushtetuese pyeti se përse testit psikologjik nuk i nënshtrohen edhe ligjvënësit dhe përfaqësuesja e kuvendit u përgjigj pyesni ligjvënësit.

Procesi kishte si palë të interesuar SPAK që u përfaqësua nga kryeprokurori Arben Kraja. Për 32 vendet vakante për në BKH pretendentët  kanë kohë për t’i dorëzuar dokumentet deri në datën 20 prill. Derisa të zgjasin testet e tjera ndaj tyre, me shumë gjasë Gjykata Kushtetuese do t’i ketë dhënë zgjidhje pyetjes a do të përdoret apo jo poligrafi dhe për fazën e dytë të përzgjedhjes.

Top Channel