Në burg administratorët e “kokainës”/ U arrestuan pas zbulimit të 143 kilogram kokainë të fshehur që erdhën nga Ekuadori

13/04/2021 15:03

Gjykata e Durrësit, la në burg dy të arrestuarit e 143 kg të kokainës të cilat u kapën të shtunën në Portin e Durrësit.

Klajdi Xibraku dhe Erion Peti, administratorët e kompanisë Masabi Fruits do të qëndrojnë pas hekurave me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve e kryer në bashkëpunim. Seanca këtë të martë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkaq mësohet se kushërinjtë Xibraku dhe Peti, i kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria.

120 pako me kokainë u gjetën në tavanin e kontenierit në pronësi të tyre, ku në njërën prej tyre ishte instaluar edhe ky GPS. Autoritetet shqiptare tashmë janë të bindura që, se grupi trafikantëve nga Ekuadori dhe Shqipëria, nuk kanë qenë të sigurt për destinacionin final të kokainës. Prandaj, ata kanë zgjedhur të përdorin teknologjinë për të ndjekur në distancë rrugëtimin e ngarkesës.

Kjo çështje tashmë, krahas prokurorëve të Durrësit, po ndiqet në distancë edhe nga Prokuroria e Posaçme.

Zbulimi i ngarkesës nga autoritetet portuale dhe doganore, thuhet të ketë qenë rastësor  për shkak të vendit të origjinës nga vinte kontenieri dhe dyshimet që kanë pasur. Megjithatë, kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, në 1 prill, u zbulua një tjetër sasi prej 49 kg kokainë, në pronësi të Selim Çekajt, babait të arbër Çekajt, i dënuar për trafikimin e 613 kg kokainë.

Hetimi që tashmë është në vazhdimësi, ka për qëllim edhe zbardhjen nëse të dyja ngarkesat të kapura në një distancë prej 10 ditësh, kanë lidhje me njëra tjetrën, dhe nëse dërguesi nga Ekuadori është i njëjtë.

Kontenieri me banane dhe 143 kg kokainë kishte mbërritur në portin e Durrësit para 10 ditësh, e ndërsa nga Ekuadori mendohet që të jetë dërguar plot një muaj më parë.

Top Channel