“Kufizime të njëjta në çdo land”/ Anila Shuka flet për vendimin e Merkel: Projektligji mund të vërë në rrezik pushtetin e kancelares

13/04/2021 15:45

Gjermania ndodhet në valën e tretë të pandemisë. Ekspertët presin që së shpejti kapacitetet e shtretërve të trajtimit intensiv të shfrytëzohen në maksimum.

Për të përballuar këtë situatë, kancelarja gjermane Angela Merkel ndryshoi sot ligjin e mbrojtjes nga infektimet. Projektligji i jep kabinetit të saj më shumë kompentenca mbi masat shtrënguese për parandalimin e pandemisë.

Korrespondentja e DW në Berlin, Anila Shuka foli në një lidhje me skype në edicionin e lajmeve të Top Channel duke thënë: “100 infeksione në 100 mijë banorë, atëherë aktivizohet shtetrrethimi nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Në shtëpi lejohet vetëm një person jashtë familjes. Teksa Britania po hap baret, Gjermania është ende në një fazë që vazhdon me lockdown të fortë.”

Sa i përket projektligjit që duhet të kalojë edhe në parlament dhe këshillin federal, Shuka tha se është e vështirë që të arrihen 2/3 e votave, megjithatë kjo do të jetë sprovë që vë në rrezik pushtetin e kancelares Merkel.

“Në Bundestag duhet miratuar me 2/3 e votave, ndryshe nuk do ketë kuptim derisa të bëhen 2-3 javë. Për tu arritur 2/3 e votave është e vështirë. Edhe të gjelbrit kanë deklaruar se do të votojnë kundër këtij projektligji. Kjo do të jetë sprova e fundit e kancelares. Është një sprovë që mund ta vërë në rrezik edhe pushtetin e saj”, tha Shuka.

Top Channel