Kapet banda e hajdutëve të vilave/ Arrestohen 5 hajdutët. Sulmonin banesat e të pasurve në periferi të Tiranës

13/04/2021 15:05

Pesë persona, kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal dhe që vidhnin vilat në zona kryesisht të shtrenjta.

Të arrestuarit janë, Dorjan Lamani 38 vjeç dhe Klodian Çypi, 34 vjeç, të dënuar më parë për kultivim të lëndëve narkotike; Halil Topalli, 29 vjeç, i dënuar për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë;  Redjan Begaj, 32 vjeç, i dënuar më herët për pengmarrje dhe moskallëzim krimi, si dhe Dajvid Dosti, 21 vjeç.

Ky grup, sipas hetimeve të deritanishme rezulton që të ketë kryer vjedhje dhe veprimtari të tjera kriminale edhe në disa vende të bashkimit Evropian. Në vendin tonë, ata synonin banesat dhe vilat ku mund të vidhnin bizhuteri apo qoftë edhe para Cash.

Një ditë më parë, ata u kapën në flagrancë, menjëherë pasi kanë vjedhur në vilën e shtetases B.S, ku kishin mundur të merrnin shuma të mëdha në euro, bizhuteri por edhe sende të tjera me vlerë. Ngjarja ka ndodhur në një kompleks banimi, pranë një qendre tregtare.

Të pestë të arrestuarit, dyshohet se janë autorët e vjedhjes së një automjeti në shtëpinë e shtetasit A.N, në 14 prill të vitit të kaluar, kur vendi ishte në karantinë. Krahas makinës, ata kanë vjedhur edhe 400 mijë lek të vjetra.

Fillimisht, ky grup hajdutësh profesionistë, siguronin informacionet e duhura për banesat dhe i pikasnin ato, për të kryer më pas vjedhjet. Policia, ka sekuestruar, 1 armë zjarri, 17.150 euro, 2 radiomarrës të njëjta me të policisë, bizhuteri të ndryshme, pajisje për hapjen e dyerve të blinduara dhe 3 automjeteve, që përdoreshin nga banda e vilave.

Në mbështetje të policisë është edhe Interpoli, që pritet të sjellë informacione të tjera, për veprimtarinë që ky grup ka pasur jashtë vendit.

Top Channel