Rama thumbon opozitën nga Cërriku: Janë gati ta djegin Shqipërinë për pushtetin e tyre

12/04/2021 15:40

​Kryeministri Edi Rama ka thumbuar opozitën nga Cërriku duke thënë se janë gati ta djegin Shqipërinë për pushtetin e tyre.

Rama theksoi se nuk do të heqin dorë nga taksa për biznesin e madh dhe nga parimi se kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë.

Rama: Marrëdhënia jonë është me njerëzit e zakonshëm, me popullin pavarësisht sa herë mund ti kemi lënduar njerëzit. Nëse kemi bërë këto që kemi bërë deri më sot, kjo ka ndodhur se kemi qenë të bashkuar me njerëzit, nuk kemi bërë një skemë për naftën pa taksa dhe nuk e kemi shpërndarë vetëm për ata që janë tanët.

Ne kurrë nuk do heqim dorë nga parimi se kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë. Ne nuk do ta ulim taksën për biznesin e madh. Do vazhdojë të paguajë 15% dhe të jetë i nderuar që e bën këtë si kontribut. Ne kemi mundësi të reja të jashtëzakonshme, por na duhet po ashtu një punë e jashtëzakonshme dhe është shumë e thjeshtë nëse do vërtet ta bësh dallimin mes nesh dhe të tjerëve.

Ky popull e ka paguar më shumë se 1 herë vajtjen pas berihajit. Janë zgjuar shumë herë nga ëndrra të dhimbshme kur kanë besuar se pa punë, pa karakter, pa rezistencë, durim e këmbëngulje mund t’ia dilnin mbanë. Nga ana tjetër jemi ne që nuk ofrojmë as receta magjike, as fusha me lule.  Vota për nr 12 nuk është për një parti, por për ta bërë Shqipërinë për të ardhmen tonë. Ata e duan vetëm për pushtetin, kur nuk kanë pushtetin nuk lënë gjë pa i bërë Shqipërisë, janë gati ta djegin për pushtetin e tyre.

Top Channel