Protesta për hidrocentralin/ Banorët e Thirrës bllokuan për disa minuta rrugën e Kombit, Policia arreston 4 persona

12/04/2021 08:58

Banorët e fshatit Thirre në njësinë administrative të Fanit të Mirditës kanë dalë sërish për të protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit në zonën e tyre, me arsyetimin se u janë falsifikuar firmat dhe nga ndërtimi i këtij heci kanë dëme të shumta.

Në lidhje me këtë protestë të zhvilluar ditën e djeshme, policia ka vënë nën pranga organizatorin e protestës dhe tre shtetas kosovar, po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë 33 shtetas të tjerë.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ata u mblodhën pranë Tunelit të Thirrës dhe me pankata në duar marshuan drejt kantierit të ndërtimit, duke thyer kordonin policor dhe duke bllokuar për disa minuta Rrugën e Kombit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme, rreth orës 12:30, në fshatin Thirrë, Njësia Administrative Fan, Mirditë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Lezhë dhe Mirditë, në përfundim të veprimeve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

B. P., 48 vjeç, banues në Lezhë, organizatori i protestës së paligjshme; E. B., 22 vjeç, E. B., 21 vjeç dhe Ç. G.,22 vjeç, banues në Kosovë.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 33 shtetas të tjerë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve.

Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Top Channel