Krujë/ Të maskuar dhe të armatosur, tre kushërinjtë vjedhin para në pikën e karburantit. Arrestohen 2 prej tyre

12/04/2021 10:58

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë si autorët e dyshuar të një vjedhje me armë zjarri në një pikë karburanti në Krujë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit tek Ura e Gjolës, Arrameras, ku personat e maskuar kanë vjedhur një sasi monetare në pikën e karburantit dhe janë larguar.

Personat që kanë rënë në pranga janë një 30-vjeçar dhe një 17-vjeçar. Ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër 17 vjeçar dhe tre djemtë rezultojnë kushërinj me njëri-tjetrin.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjola”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja me armë në një pikë karburanti në Krujë. Arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, mjeti dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.  

Në orët e para të mëngjesit, tek Ura e Gjolës, Arrameras, Fushë Krujë, persona të maskuar dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri kanë marrë një sasi vlere monetare në një pikë karburanti dhe janë larguar. Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje. 

Bazuar mbi provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Gjola”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S.Ç., 30 vjeç, banues në Nikël, Krujë, Z. Ç., 17 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 17 vjeç, banues në Fshatin Verjon, Krujë (kushërinj me njëri-tjetrin).

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA