Gara për hetues në BKH, Ambasada e SHBA-së thirrje: Bashkohuni me këtë skuadër në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar

11/04/2021 10:13

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një postimi në Facebook motivon gra dhe burra për të aplikuar si hetues, disa ditë pas rihapjes së garës në Byronë Kombëtare të Hetimit.

Sipas Ambasadës, aplikantët duhet të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI.

Më herët, pjesë e BKH janë bërë 29 hetues, të cilët kanë filluar punën, por për duhen edhe 31 të tjerë për të plotësuar numrin e plotë të tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar elitare luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, motivon edhe të gjithë aplikantët që aplikuan në raundin e parë, të cilët sipas saj, mund të riaplikojnë sërish për të qenë pjesë e garës.

“Keni ëndërruar gjithnjë të bëheni si një nga agjentët e FBI-së? A mendoni se keni atë që duhet? Tani është mundësia juaj! Byroja Kombëtare e Hetimeve ka hapur një tjetër thirrje aplikimesh për hetues. BKH-ja po kërkon gra dhe burra nga një gamë e gjerë prejardhjesh profesionale, të cilët mund të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI ? Bashkohuni me këtë skuadër elitare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Nëse keni aplikuar në raundin e parë, aplikoni përsëri! Përvoja juaj, aftësia për t’u përmirësuar dhe dëshira për të shërbyer vetëm do t’ju ndihmojnë. Aplikoni tani”, shkruan Ambasada e SHBA-së.

Top Channel