Vendimi për kontrollorë të rinj/ Qeveria vijon masat për të plotësuar vendet bosh në kullën e kontrollit në Rinas

10/04/2021 15:10

“Situata e paprecedentë e pak ditëve më parë që shkaktoi bllokim total të fluturimeve kanë vënë në lëvizje qeverinë. Ministria e Infrastrukturës përmes një urdhri ka ndryshuar procedurat për certifikimin e kontrollorëve të huaj që vijnë të operojnë në Shqipëri. Në urdhrin e firmosur nga vetë Ministrja e Infrastrukturës Balluku i kërkohet Autoritetit të Aviacionit Civil të bëjë njohjen e menjëhershme të licencave.”

Ky urdhër që ka hyrë tashmë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare i hap rrugë operimit të kontrollorëve të huaj në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, si një mënyrë për të shmangur përsëritjen e një incidenti të ngjashëm.

Aktualisht, në kullat e vrojtimit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit janë kontrollorë shqiptarë, pasi një pjesë e tyre janë rikthyer sërish në punë, ndërsa kontrollorët turq dhe grekë janë larguar.

Në një intervistë televizive ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se kontrollorët nga dy vendet kanë qëndruar në gatishmëri, por ndërhyrja e tyre nuk ka qenë e nevojshme pas rikthimit në pozicionet e tyre të punës të disa prej kontrollorëve.

Më tej ka sqaruar se edhe në rast se do të duhej të ndërhynin, nuk do të kishte një pagesë pasi shtoi se bëhej fjalë për një mbështetje nga agjencitë e trafikut ajror të dy vendeve.

E në fakt, pa hyrjen në fuqi të këtij urdhri të dikasterit të Infrastrukturës marrja e detyrës nga kontrollorët turq mund të ishte e pamundur pasi Turqia nuk është pjesë e Bashkimit Europian dhe as pjesë e Eurocontrol, sikurse është Shqipëria që ndjek të njëjta procedura.

Top Channel