Një 24-vjeçar, që po përpiqej të kalonte kufirin drejt Malit të Zi, me katër emigrantë të paligjshëm në automjet, është arrestuar sot në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit.
Sipas policisë, i riu me iniciale S.M. po transportonte emigrantët nga vendet e drejta, të cilin kishin si destinacion final vendet e Bashkimit Europian. 24-vjeçari u arrestua në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe. Ai do të hetohet nga Prokuroria e Shkodrës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “On the way”.
Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Shkodër dhe Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, në zbatim të planit të masave “Për goditjen dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm”, pas një pune të mirorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “On the way”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit S. M., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas është kapur në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, duke transportuar me një mjet tip “Benz”, 4 shtetas nga vendet e treta, drejt Malit të Zi, me destinacion final vendet e BE-së.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Top Channel