“Plani i pengmarrjes dështoi”/ Balluku: Kontrollorët u përgjigjën apelit tonë, janë në krye të detyrës

09/04/2021 11:41

Ministrja e Energjitikës Belinda Balluku tha se Albcontrol tashmë është rikthyer në punë në normalitet të plotë.

Balluku bën me dije se kontrollorët i janë përgjigjur apelit të qeverisë duke rimarrë detyrën, ndërsa thotë se plani i pengmarrjes dështoi.

Ndërkohë njofton se drejtësia do të zbardhë deri në fund ngjarjen.

Postimi

Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë jane në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi.

Kujtojmë se bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit nisi mëngjesin e së mërkurës, për shkak të revoltës së punonjësve të trafikut ajror të kompanisë “AlbControl” në funksion të aeroportit, ku ata kërkonin plotësimin e disa prej kushteve.

Ditën e djeshme nisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore, ku erdhën edhe një pjesë tjetër e vaksinave kineze, Sinovac.

Nga e gjithë situata e krijuar, janë ndaluar me urdhër nga Prokuroria e Tiranës, kreu i sindikatës, Armando Fezga, përgjegjësja e turnit Flora Ndreca dhe kontrollori Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga “AlbControl”,si nxitës të bllokimit të punës.

Top Channel