Komunikoi në telefon me të ndaluarit e Rinasit/ Ish-kreu i Aviacionit Civil shoqërohet në polici: Kam qenë kundër bojkotit

09/04/2021 11:38
Kulla e vrojtimit në Rinas

Ish kreu i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj është shoqëruar mbrëmjen e djeshme në orën 22:00 në Policinë e Tiranës, pasi rezultoi se kishte kontakte me të ndaluarit në Rinas.

Ai u la i lirë pas disa orësh pyetje në policinë e Tiranës ku u mbajt i shoqëruar.

Sulaj sqaroi rrethanat e komunikimit me të ndaluarit sepse rezultonte të kishte komunikime me ta.

Petrit Sulaj ka pasur në whatsapp komunikim me përgjegjësen e tunit, Flora Fezga dhe kontrollorin, Muhin Mezini.

Përpara oficerëve të policisë gjyqësore ai ka thënë se ka qenë kundër bojkotit dhe ka mohuar ndikimin në vendimmarrjen e tyre për bojkot të punës.

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet dhe në policinë e Tiranës pritet të  ketë shoqërime të tjera, të personave që kanë pasur kontakte me të ndaluarit ditët e fundit.

Pjesa më e madhe e kontrollorëve që u shoqëruar kanë dorëzuar pranë AlbControl kërkesat për rikthimin në pune, pra në detyrën e kontrollorëve të trafikut ajror në Aeroportin e Rinasit.

Top Channel