Kolonët izraelitë marrin tokat e pronën e palestinezëve në Lindje të Jeruzalemit

09/04/2021 20:23

Tre ndërtesa rezidenciale dhe toka e tyre janë shitur për të zgjeruar prezencën e izraelitëve në zonat palestineze të Jeruzalemit.

Më shumë se 100 kolonë izraelitë morën kontrollin e pronave dhe të tokës në zonën e pushtuar Silwan të Jeruzalemit, njoftonte agjencia vendase Wafa, pasi pronarët ua kishin shitur personave që pretendonin se ishin palestinezë.

Të shoqëruar nga policia dhe rojet private të sigurisë, grupi arriti në zonë para agimit dhe u vendosën në tre ndërtesa në një parcelë tokë që zotërohej nga pronarë palestinezë.

Prej vitit 2007, zona e Silwan ka qenë pikë kërkimi për arkeologë izraelitë që kërkojnë qytetin biblik të Davidit.

Qendra palestineze e informacionit Wadi al-Hilweh, e cila monitoron shkeljet izraelite dhe gërrmimet në zonë, tha se pronarët e ndërtesave nuk ishin prezentë kur erdhi policia.

Dy ndërtesat i përkasin familjes palestineze Awad, që jeton aty pranë dhe thanë se ua kishin shitur pronat dy palestinezëve katër muaj më parë.

Ata thanë se u habitën kur mësuan se prona u ishte shitur kolonëve të rinj izraelitë, duke shtuar se në kushtet e shitjes përfshihej “konsultimi me familjen Awad për shitje të mëpasshme, dhe të mos u shitej çifutëve”.

Banorët e rinj nisën dje instalimin e pajisjeve dhe të kamerave të sigurisë, si dhe vendosën flamurë izraelitë në ballkone.

Aktualisht 400 banorë të rinj izraelitë janë vendosur në 12 zonat e kontestuara, të mbrojtur nga ushtria dhe policia izraelite, në mes të rreth 55,000 palestinezëve të qytezave Silwan, al-Bustan, Batn al-Hawa e Wadi al-Hilweh, ne Jeruzalemin Lindor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA