Asteroidi që zhduku dinosaurët solli lindjen e pyjeve tropikale të Amazonës/ Studimi

09/04/2021 19:08
Grupi ka ekzaminuar të dhënat nga 50,000 mostra pjalmi të fosilizuar dhe më shumë se 6,000 fosile gjethesh, para dhe pas impaktit të asteroidit

Një studim i ri sugjeron se mes pasojave të asteroidit që zhduku dinosaurët nga sipërfaqja e planetit tonë, ishte lindja e pyjeve tropikale.

Studiuesit kanë përdorur analizat në gjethet e pjalmin e fosilizuar nga Kolumbia, për të hetuar sesi impakti madhor ndryshoi pyjet tropikale të Amerikës Jugore.

Asteroidi 12km i gjerë qe ka goditur tokën rreth 66 milionë vjet më parë, ka bërë që tipet e bimësisë që vishnin pyjet të ndryshonin drastikisht.

Bashkë-autorja Dr Mónica Carvalho, e Institutit Smithsonian në Panama, tha: “Grupi ynë ka ekzaminuar të dhënat nga 50,000 mostra pjalmi të fosilizuar dhe më shumë se 6,000 fosile gjethesh, para dhe pas impaktit të asteroidit në tokë”.

Ata zbuluan se bimët që çelnin boçe, të quajtura ndryshe konifere, si dhe bimësia e shkurreve ishin shumë të përhapura në rajon para përplasjes së asteroidit, sidomos në rajonin ku aktualisht ndodhet gadishulli Yucatan në Meksikë.

Por pas impaktit shkatërrimtar, diversiteti i bimëve ndryshoi me rreth 45% dhe zhdukjet e specieve u përhapën gjerësisht, veçanërisht mes bimëve me fara.

Pyjet u rekuperuan brenda 6 milionë vjetëve në vijim, të dominuar nga bimët lulëzuese ose ndryshe angiosperme.

Struktura e pyjeve tropikale gjithashtu ndryshoi si rezultat i këtij tranzicioni. Gjatë periudhës së vonshme Cretaceane, kur dinosaurët ishin ende gjallë, pemët e pyjeve ishin shumë të shpërndara, aq sa pjesët e tyre të sipërme nuk prekeshin me njëra-tjetrën dhe mes tyre kishte hapësira që në tokë të binte drita e diellit.

Pas impaktit, pyjet krijuan një shtresë të dendur bimësie që nuk lejonte me dritë në sipërfaqen e tokës.

Por si u transformuan pyjet e rralla konifere, në masat e ngjeshura tropikale që kemi sot?

Sipas analizave të fosileve, studiuesit propozojnë tre shpegime të ndryshme.

Së pari, dinosaurët nuk lejonin rritjen e pyjeve të dendura pasi ushqeheshin dhe shkelnin me forcë në tokë, duke ndaluar rritjen e bimësisë më të ulët të pyjeve.

Sipas shpjegimit të dytë, hiri i ngritur nga impakti ka pasuruar tokën në të gjithë zonën tropikale, duke i dhënë avantazh bimëve që rriten më shpejt.

Shpjegimi i tretë është se një zhdukje preferencaiale e pemëve konifere ka ndodhur për të krijuar mundësinë e lulëzimit të pemëve me lule.

Studiuesit thonë se tre shpjegimet e avancuara nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe të gjitha kanë kontribuar në botën që kemi sot.

“Ajo që mësojmë nga kjo është se prej trazirave drastike… ekosistemet tropikale nuk rekuperohen, por vetëm zëvendësohen, në një proces që kërkon kohë shumë, shumë të gjatë”, tha Dr Carvalho.

FOTO GALERI
3/5
Pas impaktit shkatërrimtar, diversiteti i bimëve ndryshoi me rreth 45%

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA