Juristi Plarent Ndreca ka folur në emisionin “Top Talk” nga gazetari Denis Dyrnjaja për të hedhur dritë mbi aspektet ligjore të bllokimit të aeroportit të Rinasit nga kontrollorët e trafikut ajror.
Ndreca ka shpjeguar se pasoja e bllokimit të aeroportit nuk justifikohet nga kërkesat e kontrollorëve. Juristi thekson se secili mund të ketë kërkesa, por nuk mund të bëjë akte terroriste për të kërkuar të drejta që cenojnë një të drejtë tjetër.
Ndreca: Ajo është vepër penale që ka të bëjë me pengimin apo ndalimin e transportit të lirë të qytetarëve. Duket që ka një trup, i cili ka kryer veprime të strukturuara në bashkëpunim me njëri-tjetrin për të sjellë këtë pasojë. Shoh disa komunikime që kanë dalë në whatsapp nga grupi i këtyre personave dhe mënyra si kanë komunikuar, duket qartë që është e organizuar mes tyre për të sjellë një pasojë konkrete sic është kjo, pra bllokimi i transportit dhe ardhja e këtyre pasojave të rënda që ne tashmë jemi të informuar.
Unë mendoj se pavarësisht nga qëllimi, nëse është përdorur si alibi, dhe ajo nuk është kërkesë reale. Por unë them se është reale dhe po e prezumoj si të tillë. Edhe sikur të jetë ky shkaku, pasoja e ardhur është që nuk e justifikon shkakun. Ne mund të kemi të gjithë kërkesa, por jo të bëjmë akte terroriste, të marrim armët, të vendosim maskat dhe të garantojmë të drejtat tona civile.
E drejta garantohet në momentin që ti nuk cenon një të drejtë tjetër, për më tepër kur është interes publik apo strategjik. Pra aeroporti i Rinasit nuk është një rrugë si çdo rrugë komunikimi. Është e vetmja portë ajrore e Republikës së Shqipërisë dhe bllokimi nuk është thjesht i transportit, ka disa interesa strategjike.
Top Channel