Kreu i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Armando Fezga

Pas ndalimit të kreut të Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Armando Fezga është sekuestruar edhe telefoni i tij, ku janë zbardhur disa prej komunikimeve në telefon me punonjësit e tjerë.

Në dokumentin e siguruar nga Top Channel, ata kanë komunikuar në whatssap mes tyre për planin e revoltës duke bllokuar punën në Rinas.

Sipas procesverbalit të ndalimit, nga veprimet hetimore, është konstatuar se Fezga ka komunikuar përmes whatssap me Eldi Dervishin në datën 06.04.2021 në orën 11:34, ku i shkruan: “Nokut ja ka plotësu Lola gjërat dhe po pret turnin e dytë që ta nisi, turni i parë ACC e kanë gati. Hë në fund do e nisin”.

Më pas  në komunikimin në grup të datës ora 04:25 kontakti i regjistruar me emrin Hajredini i shkruan shtetasit Almando “po unë them duhet të bëni edhe tokai jo vetëm atë”, ndërsa kontakti Klesti  shkruan “mbylle kullën”. Shtetësi Hajredin i përgjigjet “se nuk pi ujë, guxim kam por jo deri këtu, se ato letra i djeg maxi, me çakmak mbrapa ndërmarrjes”.

Sipas procesverbalit të ndalimit, nga veprimet hetimore, është konstatuar gjithashtu se Fezga në datë 07.04.2021 ka rezervuar gjithsej 25 dhoma dyshe për stafin e kontrollorëve të AlbControl në hotelin e Airport Tirana.

Pas 13 orësh marrjesh në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për shkak të revoltës së krijuar në aeroportin e Rinasit e bllokimit të fluturimeve, u ekzekutua urdhër ndalimi për “shpërdorim detyre” për kreun e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Armando Fezga, përgjegjësen e turnit, Flora Ndreca dhe kontrollorin, Muhin Mezini.

Top Channel