Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarë të Gjirokastrës, nga ku ka komentuar edhe një herë ngjarjen e ndodhur në aeroport, ku kontrollorët e AlbaControl që lanë punën dje, krijuan një situatë të rëndë në aeroportin e Rinasit.
Rama shprehet se ishte një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve jetësore të vendit, që është qarkullimi ajror, duke shtuar se llogaritë ishin bërë në mënyrë djallëzore nga ana e kontrollorëve.
Rama tha, se kontrollorët sipas tij, dëshironin të përfitonin nga situata, pasi e dinin që zëvendësimi i tyre do të dëshironte disa javë kohë dhe kërkonin të ndalonin procesin e vaksinimit.
Por shtoi, se qeveria ishte e përgatitur për këtë lëvizje. Ai nuk ngurroi të thotë se greva, është e shtyrë sipas tij, nga Presidenti Ilir Meta dhe ish-Presidenti e kryeministri Sali Berisha.
Rama: Kohë e vështirë, kohë kur pandemia ka shtrënguar rripat e mbarë botës. Nuk ka qenë 700 as 70 vjet më parë, por 6 a 7 vjet më parë kur Gjirokastra kishte vetëm një hotel. Sot mundësitë për të qëndruar janë shumë më shumë dhe vetëm shtohen. Dje kishim një takim me disa nga protagonistët e këtij transformimi të vazhdueshëm që ndodh në të gjithë territorin e Shqipërisë, njerëzit po i drejtohen kësaj kategorie të re të turizmit. Pata mundësinë të njihem me dy nga kjo zonë dhe, një prej tyre ishte nga Libohova ku sapo kishte hapur një bujtinë të re në një shtëpi të vjetër që dje kërcënohej nga shembja dhe sot është kthyer në një ballkon të bukur përballë kishës së restauruar. Kemi hyrë në këtë proces dhe zgjedhja në 25 prill është shumë e qartë. Të vazhdojmë të hapim dyer.
Po kthejmë përditë fëmijë në shkolla shumë më të mëdha se ato që kishin, bashkë me mësuesit e tyre. Kështu po vazhdojmë me ndërtimin e lagjeve, apartamenteve të reja për ta kthyer tërmetin në një histori të kaluar dhe për të fshirë të gjithë shenjat e tij deri në verën e ardhshme.
Ne jemi sot në kushtet e reja të një vaksinimi masiv, në një ritëm që na ka çuar në fashën më të lartë në të gjithë Europën. Këto ndodhin përditë sepse karakteri ynë është ky, forca jonë është kjo, vendosmëria dhe durimi ynë është ky.
E patë çfarë ndodhi dje? Një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve jetësore të vendit që është qarkullimi ajror. Kërcënoi të bllokonte këtë proces për disa javë, sepse është aktivitet shumë i veçantë. Ata që e garantojnë nuk janë punonjës dosido që mund të zëvendësohen, llogaritë ishin bërë në mënyrë shumë djallëzore. Koha për ti zëvendësuar mund të jetë disa javë, aq duhej për të nxitur nga e para kthimin e rrumpallës. Por i kishin bërë hesapet sepse ne ishim përgatitur për atë goditje. Vaksinat u vonuan, humbën një ditë, ja lamë hapësirë armikut të padukshëm për shkak të atyre. Ama sot vaksinat mbërrijnë. Kaluam gjithë natën që të mos iknin në një drejtim tjetër sepse nuk e kupton njeri.
Kacafytja për të marrë vaksinat është botërore. I porosita por mbaji aty. Ç’është kjo? I merr dikush tjetër. Si t’ua them që Presidenti, ish-Presidenti dhe disa leshko u bënë bashkë për t’i bllokuar. Vaksinat mbërritën në Shqipëri dhe ne do të vazhdojmë se jemi të vendosur që sezonin e ri turistik ta kemi shumë më të lehtësuar.
Top Channel