Dita e dytë e bllokimit të fluturimeve në Rinas/ Lihen të lirë 21 kontrollorë, 3 prej tyre ende në Drejtorinë e Tiranës

08/04/2021 08:27
Kulla e vrojtimit në aeroportin e Rinasit

Sot është dita e dytë e bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të revoltës së kontrollorëve të kompanisë “AlbControl”.

24 kontrollorë janë shoqëruar nga Policia e Shtetit që nga ora 23:00 e djeshme, pasi Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për situatën e krijuar nga dita e djeshme në aeroportin e Rinasit.

21 janë liruar mëngjesin e sotëm e 3 prej tyre janë ende në Drejtorinë e Tiranës.

Avokati i kontrollorëve të AlbControl, Rezart Kthupi në një intervistë për mediat nga ambientet e jashtme të Policisë së Shtetit tha se që nga mbrëmja e djeshme janë shoqëruar 24 kontrollorë, të cilët vetëm janë marrë në pyetje në lidhje me situatën. Ai theksoi se prokuroria nuk mund t’i akuzojë për shpërdorim detyrë, sepse kjo vepër kërkon që punonjësit të jenë pjesë e administratës dhe jo sh.a., siç është AlbControl.

“Rreth 24 punëtorët e trafikut ajrorë, janë shoqëruar,  një pjesë janë marrë në ambientet e Albcontrol një pjesë në polici. 4 sapo kanë dalë, ndodhen në kushte të shoqërimit, kanë dhënë shpjegime në lidhje me situatën. Shpërdorimi i detyrës është vepër i administratës, në këtë rast se di cili është arsyetimi i Porokurorisë. Albcontrol është sh,a.a i pavarur nga shteti, nuk shoh asnjë funksion publik mbi të cilin ngrihet kjo akuzë”, tha avokati.

Teksa nuk ka ende asnjë zgjidhje për situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit, TIA ka njoftuar në faqen zyrtare anulimin e fluturimeve të paradites së sotme.

Pas kallëzimit që Albcontrol bëri ndaj disa emrave konkretë të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas që mendohet se nxitën bllokimin e punës në Rinas, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.

Pasditen e një dite më parë, ushtria dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkuan në Rinas, ndërsa Forcat e Armatosura morën nën kontroll aeroportin.

Ushtria dhe FNSH në Rinas

Shumica qe kontrollorëve të trafikut ajror kanë ndaluar punën ditën e djeshme se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe kanë deklaruar paaftësi për punë.

Kërkesat e kontrollorëve janë:

Rikthim i kolegëve në punë;

Shfuqizim i vendimeve të bordit;

Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;

Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;

Një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.

Për këtë ngjarje të rëndë pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një grusht shteti të nxitur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.

Kryeministri ditën e djeshme u bëri thirrje kontrollorëve që t’i rikthen punës. Në lidhje me këtë çështje edhe presidenti Meta tha se kontrollorët duhet të nisin punën dhe të mos e ndërpresin atë, ndërsa bëri thirrje që të uleshin në dialog për të zgjidhur këto tensione.

 

Lista e fluturimeve të anuluara

Top Channel