Detajet/ Shqiptari i hoqi prizën respiratorit që mbështeste 76-vjeçarin grek, zbulohen veprat penale që kishte kryer më parë

08/04/2021 16:26
Ilustrim

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në spitalin e Kryqit të Kuq në Athinë.

Një 60-vjeçar me origjinë shqiptare, ka pranuar se ka hequr prizën e respiratorit që mbante në jetë një 76-vjeçar grek, i cili ndodhej në gjendje të rëndë i prekur me Covid 19.

Si pasojë, 76-vjeçari ka ndërruar jetë, ndërsa autoritetet thonë se gjatë orëve në vazhdim do të vendosë nën arrest 60-vjeçarin shqiptar, ç’ka deri tani nuk është bërë e mundur, pasi ai është i infektuar me Covid-19 dhe duhet të mbahet në spital.

Ndërkohë, prokuroria njoftoi se nisi një hetim lidhur me ngjarjen, ndërsa i pyetur prej agjentëve, të cilët e intervistuan autorin të veshur me pajisje të posaçme, 60-vjeçari deklaroi se e bezdiste zhurma e pajisjes dhe se ishte ankuar pranë stafit mjekësor, por askush nuk kishte bërë asgjë sipas tij.

Mësohet se 60-vjeçari ishte shtruar në pavijon të mbështetjes intensive, por pa qenë i lidhur me aparatura dhe atij nuk i jepej oksigjen.

Ngjarja ka shokuar opinionin vendas, ndërsa policia ka verifikuar të shkuarën e tij penale dhe është mësuar se shtetasi shqiptar që i hoqi prizën respiratorit që mbështeste me oksigjen 76-vjeçarin kishte probleme me alkoolin dhe ishte arrestuar në vitin 2016 për plagosje, ndërsa në vitin 2019 ishte vënë nën prangat e policisë pasi kishte tentuar të kryente vepra të turpshme me të mitur.

Autori është identifikuar me emrin Ymer ose Spiro Mulishi, 58-vjeç. Nga data base e policisë rezulton me dy emra.

Top Channel